Me tepër se 150 studentë u bashkuan këtë fundjavë në Tiranë për t’u bërë pjesë e Kongresit të Parë Studentor në vend. Këta studentë, të cilët vinin nga të gjitha universitetet e vendit, publike e private, patën mundësinë të ndajnë përvoja, shqetësime dhe mbajnë referime mbi sfidat e tyre në raport me cilësinë e arsimit në vend.
Nuk mungoi edhe pjesëmarrja e studentëve shqiptarë të rajonit, ku në total u bashkuan 5 studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, dhe Mali i Zi, duke e kthyer Kongresin Studentor në një nga evenimentet më të rëndësishme studentore në vend.
Studentët e përzgjedhur për të marrë pjesë në Kongres morën mbështetjen e më shumë se 3000 studentëve të tjerë në mënyrë që ata të përfaqësonin zërin e tyre gjatë 2 ditëve të punimeve.
Në fund, të gjithë studentët u njohën dhe votuan Rezolutën e Kongresit Studentor, një rezolutë e cila përfshin parimet dhe synimet e Kongresit në vazhdim. Krahas këtij votimi, u zhvillua edhe votimi për Komisionin Drejtues të Kongresit Studentor, i cili përfaqësohet nga 24 studentë nga të gjitha universitetet e vendit. Ky Komision do të jetë struktura kryesore e cila do të drejtojë Kongresin dhe punët e tij përgjatë vitit në vijim, deri në realizimin e Kongresit të rradhës.

